* Masalın Türkçesine buradan ulaşabilirsiniz.
Një djalosh kishte dalë për gjah ne malet e Shqipnisë. Nji shqipe fluturoi sipër tij, dhe u ndal në majë të nji shkrepi. Shqipja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në çapojt nji gjarpën. Mbas pakë shqipja fluturoi prej shkrepit ku kishte çerdhen.
Djaloshi u ngjit atëherë në majë te shkrepit, dhe gjeti në çerdhe zogun e shqipes qe po luente me gjarpënin e mbytun. Por gjarpëni nuk ishte vërtetë i mbytun. Befas ai lëvizi, ngrejti kryet, nxori thimthin dhe bani me pickue zogun. N'atë ças djaloshi nxori harkun, dhe vrau me shigjetë gjarpënin. Mandej ai mori zogun e shqipes dhe u nis kah shpia e vet. Befas ai ndigjoi mbi krye zhurmën e krahëvet te shqipes.
"Pse ma grabite foshnjen?" thirri shqipja.
"Foshnja asht imja, sepse unë e shpëtova nga gjarpëni që ti nuk kishe mbyte" përgjegji djaloshi.
"Jepmë foshnjen time, dhe unë të jap si shpërblim mprehtësinë e syvet të mi dhe fuqinë e krahëvet të mi. Ti do të jeshë i pamposhtun dhe do të quhesh me emnin tim!"
I riu i dha shqipes zogun e vet. Kur u rrit zogu, ai i sillej mbi krye djaloshit, që tash ishte ba burr. Me harkun e vet ai mbyti shumë bishë të pyllit, dhe me shpatën e vet preu shumë anmiq të vendit. Ndër të gjitha këto vepra shqipja i printe dhe e drejtonte.
I çuditun nga këto punë, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim. Ai e quejti Shqiptar, që do me thanë "Bir i Shqipes", dhe mbretnia e tij mori emnin Shqipni, që do me thanë "Vendi i Shqipevet."
* Masalın Türkçesine buradan ulaşabilirsiniz.
* Çeviren: Kamil Bitiş